E-tron, Audi i parë elektrik – Amazon do të mundësojë karikimin në shtëpi, telashe për Tesla
Marka luksoze gjermane, Audi, prezantoi makinën e parë elektrike dhe theksoi një marrëveshje me Amazon për të lehtësuar karikimin e kësaj makine. Audi e-tron, i kategorisë SUV, do të nisë shitjen në SHBA vitin e ardhshëm me një çmim prej 75,795 dollarë.
Kjo është një prej disa makinave elektrike që priten nga markat e Volkswagen, ndërkohë që marka të tjera premium në Europë përfshirë Daimler, BMW, Volvo dhe Land Rover kanë lajmëruar modelet e tyre.
Shumë prodhues kërkojnë të zgjerojnë tregun e makinave elektrike të luksit dhe t’i bëjnë konkurrencë Tesla, që e ka patur rrugën e lirë deri më tani.
“Kërkoj që Audi të jetë shitësi numër 1 i makinave elektrike në Amerikë në terma afat-gjatë”, tha presidenti i firmës në SHBA, Scott Keogh. Kreu i Tesla, Elon Musk, zhvilloi një event të SpaceX në Los Angeles, në të njëjtën kohë kur Audi prezantonte makinën e re.
Audi dhe kompania zotëruese Volkswagen, po përdorin prezantimin e e-tron, për të krijuar epërsi në karikimin e baterive.
Audi do të bashkohet me Amazon për të shitur dhe instaluar sisteme të karikimit të makinave në shtëpi për blerësit e e-tron.
Amazon do të dërgojë pajisjet dhe punësojë elektricistë që t’i instalojnë nëpërmjet Shërbimit në Shtëpi të Amazon.
Partneriteti i Amazon me Audi për të ofruar sisteme të karikimit në shtëpi përbën herën e parë që kompania e shitjeve online nis ujdi me prodhues të makinave. Audi bëri të ditur se stacionet e karikimit në shtëpi do të kushtojnë rreth 1,000 dollarë, bë varësi të sistemit elektrik të shtëpive.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.