Ethereum në nivel rekord – Interesi për “altcoin” dhe teknologjia e monedhës, sjellin rritje gjigante

Kriptovaluta e dytë më e madhe në vlerë tregu, Ethereum, shënoi një nivel rekord të ri këtë javë, në rritje me më shumë se 60% brenda 1 jave. Valuta dixhitale shënoi një rekord prej 1,417 dollarë, tregojnë të dhënat e CoinDesk, që ndjek performancën e valutave dixhitale.
Ethereum është rritur me më shumë se 13,000 % vitin e kaluar. Ethereum është kriptovaluta me kapitalizimin e dytë më të madh të tregut pas Bitcoin, me një total prej 131.5 miliardë dollarë.
Monedha është mbështetur nga teknologjia blockchain, ashtu si Bitcoin, por ka edhe diferenca, si përdorimi për kontratat smart.
Një konsorcium (EEA) i përbërë nga Microsoft, JPMorgan dhe dhjetëra kompani të tjera me emra të mëdhenj, po përpiqet të zhvillojnë aplikacione duke përdorur teknologjinë blockchain të Ethereum.
Ekziston edhe ndjesia e investitorëve për të bërë para me monedha alternative dixhitale (altcoins). Ripple pati një rritje rekord kohët e fundit përpara se të përmbysej. Një pjesë e kësaj paraje mund të jetë kanalizuar te Ethereum.
Viti i kaluar regjistroi 3.7 miliardë dollarë në oferta fillestare të monedhave (ICO), një proces ku një kompani mund të marrë financim duke emetuar një monedhë dixhitale. Investitorët nuk marrin zotërime te kompania, por këto monedha mund të tregtohen, ose mund të përdoren për ndonjë shërbim që firma emetuese ofron.
Disa prej programuesve përgjegjës për Ethereum, kanë folur gjithashtu publikisht mbi kriptovalutën. Sipas tyre, rritja e numrit të projekteve të ndërtuara mbi teknologjinë blokchain të Ethereum, mund të bëjë që monedha të kalojë Bitcoin në 2018-ën.
Megjithatë, shumë analistë thonë se tregu i kriptovalutave do pësojë një përplasje, ndjekur më vonë nga një konsolidim.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.