Fermerët paralizojnë tregtinë në Greqi, protestat bllokojnë kamionët drejt Shqipërisë

Prej mese dy javësh, fermerët në Greqi janë ngritur në protesta masive, duke paralizuar një pjesë të vendit, si dhe rrugët kombëtare. Mediat greke bëjnë me dije se, protestat dhe bllokada e vendosur nga fermerët ka bllokuar edhe transportin e mallrave me kamionë drejt Shqipërisë.
Tashmë fermerët kanë deklaruar se, do të bllokojnë edhe linjën hekurudhore në Idomeni, pranë kufirit me Maqedoninë. Protestuesit kundërshtojnë masat shtrënguese dhe i kanë vendosur së fundmi një ultimatum qeverisë helene.
Në rast se, qeveria nuk do të pranojë një takim me ta, atëherë protestat do të përshkallëzohen paralajmërojnë përfaqësues të protestuesve. Ditën e Premte, traktorë dhe mjete të tjera të tonazhit të rëndë do të zbarkojnë në Athinë përballë parlamentit, duke përsëritur atë që ndodhi në Selanik një javë më parë.
Bllokimi i nyjeve kryesore të autostradave që lidhin Greqinë me Shqipërinë, Bullgarinë, dhe Maqedoninë, e që janë pikat e kalimit të kamionëve të transportit të mallrave, i ka hapur telashe të mëdha Greqisë.
Tashmë, qeveria është e detyruar të ulet në bisedime, përndryshe bllokada rrezikon të paralizojë një pjesë të madhe të tregtisë. Dëmet tashmë e kanë kaluar kufirin dhe rrezikojnë të shtohen.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.