Fitorja e Erdogan/ Zhvlerësimi i lirës, Banka Qendrore, investimet e sfidat ekonomike me të cilat duhet të përballet

Verdikti është i qartë: Erdogan ka fituar. Madje, ka stërfituar! Sepse jo vetëm është rikonfirmuar si president në raundin e parë me një avantazh sigurues por edhe sepse koalicioni i udhëhequr nga partia e tij AKP në të cilin figuronin edhe ultranacionalistët, ka mazhorancën absolute të vendeve në parlament. Pjesëmarrja në votime ka qenë e lartë.
Për Muharrem Ince, kandidati i partisë më të madhe të opozitës, rezultatet e mëngjesit te sotëm janë të pamëshirshme. Erdogan është president në raundin e parë me 53 % të votave. Koalicioni i tij ka marrë 343 vende nga 600 të tillë. Burri në pushtet prej thuajse 16 vitesh në Turqi tashmë ka dorë të lirë për të çuar para reformat e tij, ekonomike e sociale, shumë prej të cilave shihen me njëfarë shqetësimi nga vende të ndryshme europiane.
Fuqi thuajse absolute
Falë referendumit të miratuar në prill të vitit 2017, që e transformon Turqinë në një republikë presidenciale, Erdogan do të qeverisë një vend me pushtet thuajse absolut dhe me një parlament të urtë, të gatshëm për të përmbushur kërkesat e tij. Nuk do të ketë me të bëjë me një kryeministër sepse figura e tij është hequr.
Dhe kabineti qeveritar nuk është i detyruar t’i japë llogari parlamentit. Erdogan do mundet, ndër të tjera, të vendosë njerëzit e tij në detyra strategjike: do të ketë në fakt autoritetin për të emëruar anëtarët e Këshillit të Lartë të Magjistraturës, ministrat e të japë urdhëra ekzekutivë ( po jo për çështje të të drejtave themelore apo të drejtave politike). Do të mundet edhe që të qendrojë në krye të partisë së tij e të zgjedhë kandidatët për parlament. Do të ketë një seri kompetencash edhe mbi buxhetin.
Sfida e ekonomisë
Nuk do të jenë, gjithsesi, kohë të lehta për presidentin që cilësohet nga rivalët e tij si sulltan. Sfidat janë të shumta. Më e rëndësishmja është rregullimi i llogarive publike për të shmangur një “mbinxehje” të ekonomisë. Reformat e tij populiste kanë konsoliduar rritjen-edhe në tremujorin e parë të vitit prodhimi i brendshëm bruto është rritur me 7.4 % megjithatë njëkohësisht kanë sjellë edhe një rritje borxhi të rrezikshëm.
Deficiti i llogarive korrente mund të rritet në vijim duke arritur në 6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (sot është 5.5%), inflacioni ka kaluar 12.5 % ndërsa investimet e huaja, të domosdoshme për të financuar deficitin, po zbresin dukshëm prej muajsh. Besohet se ky trend mund të vijojë.
Beteja me Bankën Qendrore
I fuqizuar nga pushtetet e reja, Erdogan mund të hapë zyrtarisht një përballje me Bankën Qendrore. Ai vetë nuk e ka fshehur asnjëherë se dëshiron të drejtojë politikën monetare të vendit. Se cilat janë recetat e tij kundër zhvlerësimit të lirës turke, për momentin janë mister. Megjithatë, Erdogan e di se nuk mund të lejohet më një zhvlerësim i mëtejshëm i monedhës së vendit të tij.
Politika ndërkombëtare
Edhe në drejtim të politikës ndërkombëtare, presidenti turk do të ketë dorë të lirë.
Marrë me shkurtime nga ilsole24ore/Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.