Fjalimi i fitores, Rama falenderon kreun e opozitës: Rikonfirmoj vullnetin për zbatimin e marrëveshjes së 18 majit, në cilësinë mazhorancë-opozitë

Në të njëjtin moment kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi mbylljen zyrtare të procesit të numërimit të votave, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka dalë para mbështetësve të forcës së tij politike për të mbajtur fjalimin e fitores e për të shpalosur piketat kryesore të qeverisjes së 4 viteve të ardhshme.
Para mbështetesve të mbledhur në sheshin Skëndërbej, Rama vlerësoi maksimalisht ecurinë e procesit zgjedhor duke u ndalur në faktin se gjatë fushatës, votimit e numërimit të votave mungoi presioni e tensionet.
Në fjalimin e tij, Rama përmendi vazhdimisht kreun e opozitës Lulzim Basha të cilin e falenderoi për rolin e tij dhe të forcës së tij gjatë procesit e rikonfirmoi vullnetin për të vijuar bashkëpunimin mazhorancë-opozitë në rrugën integruese të vendit.
“Edhe sot besoj se ajo marrëveshje e ka të gjithë potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate verë, në një Shqipëri ku qeveria e opozita janë të ndara në llogoret poitike por duhet të jenë të bashkuara për interesat kombëtare në rrugën për Europën që duam. Më duhet pak kohë për të parë e kuptuar nëse fryma e marrëveshjes që shpëtoi zgjedhjet dhe solli një klimë qetësie për vendin nuk është tretur bashkë me pritshmërinë e liderit të opozitës për të dalë fitues në këto zgjedhje. Rikonfirmoj publikisht dëshirën për ta pasur marrëveshjen politike të 18 majit si busull orientuese të marrëveshjeve të qeverisë së re me opozitën e re” tha Rama në fjalën e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.