“FT” për Ballkanin: “Bullgaria do të shfrytëzojë maksimalisht mundësinë për integrimin e rajonit”
Prestigjiozja “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar vendosmërisë së Bullgarisë për ta shfrytëzuar Presidencën e radhës së Bashkimit Europian për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Qeveria bullgare do që presidenca e saj të mbahet mend, më së shumti, për shkak të avancimit në kauzën për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, hapet shkrimi.
Kjo vjen në një kohë që, liderët e vërtetë të Europës, kryesisht Franca dhe Gjermania janë të fokusuar më së shumti në integrimin më të madh të vendeve të Eurozonës, dhe kryesisht në unionin bankar dhe transformimin e Mekanizmit Europian të Stabilitetit.
“Duke qenë se Bullgaria nuk është pjesë e Eurozonës, nuk do të përfshihet thuajse fare në këto diskutime, duke i lënë mjaftueshëm hapësira për t`u fokusuar te Ballkani”, shkruan FT.
Bullgaria i frikësohet mjaftueshëm një Europe me shumë shpejtësi, dhe kështu mendon se zgjerimi i Europës është mundësia më e mirë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë kryeministri bullgar, Boiko Borisov, i cili do të shfrytëzojë edhe afërsinë që ka me kancelaren Merkel për këtë qëllim.
Ministrja e Bullgarisë që ka në ngarkim presidencën e Bashkimit Europian ka vendosur si një ndër prioritetet madhore pikërisht samitin e 17 Majit, në të cilin krerët e shtetit dhe qeverive të 27 vendeve të unionit do të takohen me liderët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Ky është samiti i parë i këtij niveli që prej vitit 2003. Samiti, shkruan Financial Times, do të shërbejë për të pajisur secilin vend të Ballkanit Perëndimor me një plan aksioni individual për të arritur anëtarësimin në union.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.