Fundi i një tradite qindra vjeçare? Lojërat Olimpike “ndoshta nuk mbahen”, thotë eksperti

Dick Pound, një anëtar i vjetër i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ka thënë se ai “nuk mund të jetë i sigurt” se Lojërat e vonuara të Tokios 2020 do të vazhdojnë këtë verë, pasi një gjendje e jashtëzakonshme e koronavirusit u shpall në qytetin pritës.
I pyetur në lidhje me perspektivat që Lojërat do të hapen më 23 korrik, kanadezi i tha BBC: “Nuk mund të jem i sigurt për shkak të rritjes së përhapjes së virusit”.
Organizatorët dhe presidenti i IOC, Thomas Bach, kanë këmbëngulur që Lojërat Olimpike, të cilat u shtynë me një vit për shkak të pandemisë, të shkojnë përpara dhe kanë rënë dakord që nuk do të jetë e mundur të shtyhen për herë të dytë.
Tokio, megjithatë, është në qendër të një vale të tretë infeksionesh që ka goditur Japoninë javët e fundit, duke bërë që Kryeministri, Yoshihide Suga, të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme njëmujore në kryeqytet dhe tre prefekturat fqinje.
Tokio raportoi një rekord prej 2,447 rastesh të enjten, një rritje prej 50% nga një ditë më parë – ndërsa numri i infeksioneve në të gjithë Japoninë u rrit mbi 7,500, gjithashtu më i larti i të gjitha kohërave.
Shqetësimi se atletët, tifozët dhe zyrtarët vizitues mund të shkaktojnë një shpërthim të ri dhe kostot në rritje që i atribuohen vonesës janë kombinuar për ta kthyer opinionin publik kundër Lojërave. Një sondazh i fundit nga transmetuesi publik NHK zbuloi se 63% e japonezëve mbështesin një tjetër shtyrje ose anulim.
D.B – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.