Gjermania bind Kinën të “lëshojë pe” në kuotat e makinave elektrike
Gjermania ka bindur Kinën të bëjë disa ndryshime në kuotën e propozuar për të inkurajuar prodhimin e automjeteve elektrike. Njotimi erdhi nga kryeministri kinez Li Keqiang dhe Kancelarja Angela Merkel, pas bisedimeve të enjten në Berlin.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Li u shpreh se e kishte diskutuar çështjen dhe kishte vendosur të bënte lëshime për prodhuesit e makinave, por pa dhënë ndonjë detaj konkret.
Merkel tha se Gjermania dhe Kina kanë synime të ngjashme kur vjen puna te promovimi i makinave elektrike, por tha se ajo donte të sigurohej se kishte kushte të mira për prodhuesit gjermanë në Kinë. Ajo u shpreh optimiste për një zgjidhje pozitive të problemit.
Gjermania ka lobuar fort qëkurse Kina vendosi një politikë në Shtator, për një target që 8% e shitjeve të industrisë së makinave deri në vitin 2018, të ishin automjete me bateri elektrike ose hibride. Kjo shifër do të ngrihej në 10 % në vitin 2019 dhe në 12% në vitin 2020.
Por Kina u duk e gatshme për të hequr dorë nga ky target, pasi vetë industria automotive e kishte kritikuar shkallën e gjerë dhe shpejtësinë e kryerjes së këtij plani.
Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar vetëm 1,8% e shitjeve të makinave të reja në tregun më të madh në botë, ishin automjete me energji elektrike.
Prodhuesit e automjeteve thonë se synimi është shumë i vështirë për t’u arritur, ndërsa politikëbërësit gjermanë thonë se kjo mund të jetë një strategji e Kinës për të ndihmuar prodhuesit vendas të marrin pozicionin drejtues në garën botërore për automjetet e gjelbra.
Gjatë takimit në Berlin, prodhuesi gjerman Daimler firmosi një marrëveshje më partnerin kinez në sipërmarrjen e përbashkët, BAIC, për të përmirësuar fabrikën e Mercedes-Benz në Pekin, në mënyrë që të prodhojë makina elektrike.
Angelo Haruni/SCAN
Kina mund të udhëheqë revolucionin e makinave elektrike
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.