Greqia në pritje – Akuza të ashpra Berlinit, Eurogrupi vendos

Ministrat e financave të Eurozonës mblidhen të Enjten për të diskutuar mbi çështjen e Greqisë. Me shumë gjasa, kreditorët do të zhbllokojnë paratë për Greqinë por nga ana tjetër do të ngrijnë çështjen e lehtësimit të borxhit.
Gjermania ka vendosur veton, duke mos pranuar asnjë negociatë deri në zgjedhjet e 24 shtatorit. Këto zëra nuk i ka pritur aspak mirë ministri grek i ekonomisë duke sulmuar drejtpërdrejtë Berlinin.
“Unë nuk e kam takuar ende Schaeublen dhe nuk dua të tregohem i paedukatë, por kjo sjellje është jo e drejtë për mua”-shtoi ai.
Sipas tij, Schaeuble në fillim ishte i mendimit se Greqia i kishte respektuar angazhimet e më pas ndërroi mëndje. Ai paralajmëroi Gjermaninë për vendimet që po merr duke u bazuar në politikën e brendshme, duke i kujtuar edhe ndihmën që i është dhënë Berlinit pas luftës së dytë botërore.
Një apel të veçantë i drejtoi Eurogrupit edhe Presidenti helen, Pavloupulos. Në rast se Eurogrupi do të konfirmojë zërat që qarkullojnë që prej të Mërkurës, atëherë përplasja mes Athinës dhe kreditorëve mund të shkojë në një tjetër nivel.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.