Greqia, në stanjacion – Bien projeksionet e KE dhe FMN për rritje në 0.3%-0.4%

Ekonomia greke u regjistrua në një rritje zero gjatë vitit të kaluar, tregojnë të dhënat zyrtare të institutit të statistikave në vend.
Ky është publikimi i parë i plotë vjetor i vitit të kaluar. Në terma vëllimi, Prodhimi i Brendshëm bruto gjatë 2016-ës regjistrohet në 184.5 miliardë euro, në nivel të pandryshuar në krahasim me vitin 2015.
Të dhënat zyrtare nga instituti helen i statistikave tregojnë kështu se, ekonomia greke performoi nën pritshmëritë e kreditorëve ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar. Në projeksionet e fundit dimërore të publikuara muajin e kaluar, Komisioni Europian vlerësonte një rritje të ekonomisë greke me 0.3% gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që Fondi monetar ndërkombëtar, dukje edhe më optimist, pasi fliste për një zgjerim të ekonomisë greke me 0.4% në terma vjetorë.
Por, Greqia duket se për të disatën herë, dështoi të përmbushte pritshmëritë. Sa i përket vitit aktual, të dyja institucionet, si Komisioni Europian, ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, projektojnë një rritje ekonomike në 2.7%. Mbetet për të parë nëse sërish do të dështojnë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.