Greqia synon tregjet e borxhit – Do të testojë investitorët me 2 emetime pas dakordësisë me kreditorët

Greqia po synon emetimin e parë të borxhit sovran në 3 vite në Korrik, ndërsa huadhënësit ndërkombëtarë detajojnë lehtësimin afatgjatë për vendin dhe Banka Qendrore Europiane e përfshin në programin e blerjes së titujve.
Burime për Reuters tregojnë se Athina kërkon të testojë tërheqjen e tregjeve drejt borxhit grek përpara se programi aktual i shpëtimit prej 86 miliardë euro të përfundojë në mes të 2018-ës. Pjesëmarrja e fundit e Greqisë në tregjet ndërkombëtar të borxhit ishte në 2014-ën me dy emetime, një vit përpara se të zhytej në krizë, gjë që solli programin e tretë të shpëtimit që prej 2010-ës.
Zyrtarët e Qeverisë thonë se po konsiderohet emetimi i një obligacioni 5 vjeçar. Obligacioni i vitit 2014, solli 3 miliardë euro për vendin. Kjo lëvizje kushtëzohet nga kreditorët, të cilët do të detajojnë mënyrën e ristrukturimit të borxhit në vend që qëndron në 179% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, niveli më i lartë në Eurozonë.
Ministrat e Financave të Eurozonës do të diskutojnë mbi çështjet e Greqisë më datë 22 Maj. Një emetim i dytë do të vijë në fund të vitit, vijojnë zyrtarët grekë, pa ofruar shumë detaje mbi këtë. Nëse takimi i ditës së Hënë nuk rezulton eficent, emetimi mund të shtyhet për në vjeshtë. Tre tregtarë primarë në Londër kanë komfirmuar se autoritetet greke kanë nisur bisedimet për një kthim në tregjet financiarë.
Yieldi i oglibacioneve 5 vjeçare të Greqisë qëndroi në 5.53% në fillim të kësaj jave. Instrumenti 10-vjeçar, një tregues i kostos së Qeverisë për të marrë financim nga tregjet në terma-afatgjatë, qëndron në nivelin më të ulët në 5 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.