Hahn nga konferenca për Ballkanin Perëndimor: 13,5 mld euro për rajonin deri në 2020-ën

Komisioneri Europian për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn ishte të enjten në një vizitë zyrtare në Serbi. Duke folur nga konferenca “Drejt një klime më të mirë investimesh në Ballkanin Perëndimor”, ai u shpreh se ndërtimi i urave dhe lidhja e territoreve do të sjellë një kontribut të thellë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe do të promovojë më tej paqen dhe pajtimin, krahas të gjitha përfitimeve ekonomike që do të sjellë.
“Jemi vetëm një muaj larg takimit të katërt vjetor të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, ku ne promovojmë integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Vetëm para dy javësh, BE dhe ministrat e Financave të këtyre vendeve ranë dakord në një numër rekomandimesh për politika konkrete ekonomike”, u shpreh Hahn.
Sipas tij, dëshira e përbashkët për të ecur në rrugën e integrimit europian ka sjellë shumë përfitime ekonomike për rajonin.
“Gjatë këtyre 10 viteve, tregtia mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është dyfishuar, duke arritur 44 miliardë euro në vitin 2016, eksportet nga Ballkani janë më shumë se dyfishuar nga 7 miliardë euro në 18 miliardë”, vuri në dukje Hahn.
Ai theksoi se Bashkimi Europian synon të vijojë të rrisë ndihmën për këto vende, me kusht që paqja dhe raportet e mira fqinjësore të vazhdojnë. BE ka alokuar 1,3 miliardë euro në grante dhe synon ta rrisë shifrën e investimit në 13,5 miliardë euro deri në vitin 2020 për sektorë të rëndësishëm publikë dhe privatë si energjia, mjedisi dhe transporti.
Gjatë fjalës së tij, komisioneri vuri theksin edhe tek sundimi i ligjit, si diçka thelbësore për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve. Sipas Hahn, ekonomia informale është veçanërisht një problem që shqetëson rajonin, pasi ul të ardhurat nga taksat, sjell konkurrencë të pandershme dhe prek negativisht aftësitë e punonjësve dhe cilësinë e punëve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.