Juncker e thotë troç: “Ballkani jo në BE, pa Europën do ishin në luftë”
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, deklaroi për të përjavshmen europiane, “Politico”, se, nuk është në favor të anëtarësimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Madje, deklarata e numrit një të krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian, që është edhe institucioni më i lartë, bëhet edhe më alarmante. Juncker thotë për “Politico” se, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian i duhet Ballkanit për të shmangur luftën.
“Nëse ne ua heqim atyre perspektivën europiane, atëherë do të përjetojmë një eksperiencë si ajo e viteve 90`. Në respekt të kësaj, stabiliteti i Bashkimit Europian është një parakusht për Ballkanin që të mos jetë në luftë sërish. Unë shpresoj që Trump ta ketë kuptuar këtë”, thotë Juncker.
Këto pak rreshta për Ballkanit thuhen në momentin që intervista fokusohet në marrëdhëniet mes bashkimit europian dhe Donald Trump.
“Nëse Bashkimi Europian do të ishte duke rënë, ashtu siç Trump pretendon, atëherë vendet e Ballkanit Perëndimor do ta humbisnin perspektivën europiane”, shtoi ai.
Nuk dihet, përse Ballkani Perëndimor është vendosur në fokus të këtyre repikave në distancë mes presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Ndoshta Jean Claude Juncker thjesht ka dashur t`i kujtojë presidentit amerikan pasojat e shpërbërjes së Europës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.