Kina ndalon tregtinë e fildishit – Skepticizma për arritjen e një rezultati

Kjo javë në Kinë shënoi nisjen e një aksioni qeveritar për mbylljen e dyqaneve dhe fabrikave të përpunimit të fildishit.
Punimi i brirëve të elefantëve shihet në vend si një formë arti, e cila u shndërrua në një industri, ku 70% e gjithë kërkesës globale për fildish vjen nga Kina.
Si rezultat i vrasjes së elefantëve për brirët e tyre, specia edhe një herë është pranë zhdukjes. Përllogaritet se kanë mbetur më pak se gjysmë milioni elefantë në Afrikë dhe se brenda një dekade nuk do të ketë më popullata të lira në natyrë.
Një ekip me zyrtarë nga Konventa e OKB-së për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara do të mbikëqyrë procesin e mbylljes së këtij biznesi.
Janë 34 fabrika dhe mbi 138 dyqane, të cilat do të mbyllen deri në fund të vitit. Por mbyllja e këtyre punishteve, ka rëndësi jo vetëm në aspektin e mbrojtjes së elefantëve, por edhe sepse ato shpesh shërbejnë si mbulesa për një rrjet më të madh të tregut të zi.
Ndërkohë, Kina ka një stok prej mbi 1 mijë tonësh fildish, i cili nuk dihet ende se ç’do të bëhet.
Një vendim i ngjashëm është marrë edhe para dy dekadash në lidhje me bririn e rinocerontit. Tregtia e tij dënohet rëndë me ligj, madje edhe me burg të përjetshëm.
Por ajo që tremb nëse do të ketë vërtet impakt ky ndalim, është fakti që tregtia e antikeve do të lejohet. Tregtarët shprehen të sigurt që mjafton të ketë kërkesë, pasi ajo do të plotësohet nga ana e tyre.
“Fildishi është materiali më i mirë për të gdhendur art. Edhe nëse është i vogël sa një kokërr orizi, përsëri mund të gdhendësh një poemë në të”, shprehet Liu Fenghai, një artizan që është bërë i pasur me këtë biznes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.