KLSH liston shkeljet në buxhet: “Detyrimet e prapambetura në rritje, hiqen faturat e gjyqeve për largimet nga puna”
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh në zbatimin e buxhetit për vitin 2019, duke konsideruar veçanërisht si shqetësim vijimi e fenomenit të krijimit të detyrimeve të prapambetura, regjistrimin e kontratave në shkelje të aftave dhe nisjen e projekteve publike, pa pasur në dispozicion fondet e duhura. Gjetjet e raportit u prezantuan në Komisioni e Ekonomisë dhe të Financave. “Fenomeni i regjistrimit të kontratave në tejkalim të afateve. Ka vijuar ndërmarrja e angazhimeve pa fondet e duhura. Jane lidhur kontrata me vlere me te larta se fondet disponibel. Krijimi i detyrimeve te prapambetura është fenomen ne rritje, per shkak te mungese se masave”.
Po ashtu një tjetër pikë shqetësuese e gjetjeve të KLSH-së është mosdeklarimi nga ana e Ministrisë së Financave si shpenzime, të faturës së gjyqeve për largime të padrejta nga puna, të punonjësve të administratës publike. ”Vendimet gjyqësore te formës se prerë nuk deklarohen si shpenzime ne kundërshtim me ligjin. Stoku i detyrimeve te prapambetura llogaritet mbi 3 mld leke. Duke marre ne konsiderate faturën e larte, per pushime nga puna, KLSH kërkon te merren masa per këtë qellim”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rezerva sa i takon edhe shifrës së nivelit të borxhit publik për vitin 2019, duke evidentuar se stoku i borxhit paraqitet i nënvlerësuar dhe se janë krijuar detyrime te reja te subjekteve nen huamarrëse. Ndërsa vë në dukje se edhe defiçiti fiskal është më i lartë, nga ai që raportohet nga Ministria e Financave.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.