Kosto e martesave të fëmijëve, Banka Botërore: Triliona dollarë humbje çdo vit për ekonominë
Banka Botërore ka publikuar një raport unik në llojin e tij e që analizon impaktin ekonomik të një prej fenomeneve më të ndjeshëm dhe më të përhapur edhe në shoqërinë moderne; martesat e fëmijëve.
Këto martesa do ti kushtojnë vendeve në zhvillim triliona dollarë dëm deri në vitin 2030, thotë raporti i Bankës Botërore. Dhënia fund e kësaj praktike jo vetëm do të çlironte shoqërinë nga abuzimet, do të rriste nivelin e emancipimit dhe edukimit të femrave, e për rrjedhojë do të rriste të ardhurat dhe mirëqenien familjare.
Raporti thotë se, prevalenca e martesave të minorenëve gjatë 30 viteve të kaluara ka rënë ndjeshëm në disa vende, por pavarësisht kësaj, vijon të jetë ende mjaft e lartë. Në analizë janë marrë 25 vende të ndryshme të botës, dhe në këto vende, një në tre femra martohet përpara moshës 18 vjeçare.
Një në pesë femra bëhet nënë përpara moshës së mazhorancës. Ndër të tjera, këto martesa krijojnë probleme të skajshme demografike. Dhënia fund e kësaj praktike do të ulte me 11% fertilitetin, e për rrjedhojë do të ulte rritjen e frikshme të popullsisë në disa vende.
Popullsia globale në 2030 do të ishte 5% më e vogël, në rast se sot do t`i jepej fund këtyre martesave. Vetëm ulja e ritmit të pjellorisë përkthehet në më shumë se 500 miliardë dollarë në vit.
Në Uganda, ekonomia do të kishte 2.4 miliard dollarë më shumë në vit, e në Nepal 1 miliard dollarë. Në rast se do t`i jepej fund kësaj praktike, 90 miliardë dollarë do të shpëtoheshin çdo vit si pasojë e uljes së normës së vdekshmërisë.
Nigeria psh, do të kishte 7.6 miliardë dollarë më shumë çdo vit, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave të femrave, në rast se, sot do t`i jepej fund kësaj praktike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.