Luftë ballkanase me ushqimet – Serbia “bllokon” ushqimet kroate, nuk do të jenë në treg për 30 ditë

Duke nisur nga kjo fundjavë, përveç frutave dhe perimeve, të gjitha produktet e tjera me origjinë nga Kroacia do të jetë subjekt i kontrolleve rigoroze në doganat e Serbisë. Për këtë arsye ato nuk do të jenë në treg për 30 ditët e ardhshme, raporton Blic.
Praktikisht administratës doganore iu dha detyra të bëjnë teste laboratorike për të gjitha këto produkte, krahas kontrolleve fotosanitare dhe veterinare. Për shkak të kohëzgjatjes së këtyre testeve, të cila zgjasin një muaj, është e sigurt se shumë prej produkteve nuk do të përfundojnë në raftet ushqimore, por në mbeturina.
Autoritetet serbe vendosën për këto masa të rrepta, si përgjigje direkte ndaj vendimit të Kroacisë në mes të muajit korrik për të rritur tarifat për eksportuesit jo nga vendet e Bashkimit Europian.
Tarifa për një certifikatë përmbushjeje të standardeve të tregut kroat u rrit nga 12 euro në 270 euro, ndërsa autoritetet kroate shtuan më tepër fruta dhe perime në listën e produkteve që kërkojnë kontrolle fotosanitare.
Serbia, së bashku me Shqipërinë, Bosnje & Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi i dërguan një letër Komisionit Europian në mesin e javës së kaluar ku ankoheshin për masat e reja.
Megjithatë Serbia duket se ka vendosur të veprojë direkt, për të dëmtuar sa më shumë eksportuesit kroatë.
Gjetjet e Blic i konfirmoi dhe ministri serb i Agrikulturës, Branislav Nedimovic. “Derisa të ndryshojnë vendimin për të rritur tarifat për frutat dhe perimet serbe, nuk ka asnjë dialog. Po marrim masat tona për të mbrojtur vendin”, u shpreh Nedimovic.
Në vitin 2016, Serbia eksportoi 137 milionë dollarë mallra drejt Kroacisë dhe importoi 93 milionë dollarë në produkte nga vendi fqinj.
Boshllëkun e produkteve si mishi, qumështi, prodhimet shtazore dhe akulloret me shumë gjasa do ta plotësojnë produktet nga vendet fqinje, përfshirë edhe Shqipërinë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.