Marsi mbyllet me luhatje të mëdha – Tregjet e aksioneve karakterizohen nga paqëndrueshmëria, si pasojë e luftës
Tregjet europiane janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, por megjithatë investitorët po tregohen të kujdesshëm pasi është sesioni i fundit i marsit. Gjatë këtij muaji, tregjet globale të aksioneve janë karakterizuar nga luhatje të mëdha për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Indeksi pan-Euroian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje të lehtë me 0.5%, ndërsa fitimet më të mëdha i realizon sektori i mediave.
Tensionet gjeopolitike dhe shqetësimet për rritjen e inflacionit kanë dominuar besimin e tregjeve gjatë këtij muaji. Ndërkohë, çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, me brentin e Londrës që ka shkuar pranë 109 USD për fuçi. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po konsideron një plan për të hedhur në treg rreth 1 milionë fuçi në ditë, nga rezervat strategjike për një periudhë 6-mujore.
Edhe tregu i naftës është karakterizuar nga paqendrueshmëria, që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit. Investitorët po presin raportin vjetor që do të publikojë aleanca e NATO-s dhe takimin e ministrave të naftës të OPEC+, që përbëhet nga OPEC dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.