Mbyllet jave e 2-të e trajnimit të biznesit të vogël – DPT: Më shumë se 230 pjesëmarrës

Më shumë se 230 pjesëmarrës të biznesit të vogël kanë marrë pjesë gjatë dy javëve të para në trajnimet e dedikuara të Drejtorive Rajonale Tatimore për bizneset e vogla. Sipas Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, këto pjesëmarrës të biznesit të vogël që do të përfshihet për herë të parë në skemën e TVSH-së nga 1 prilli 2018, përfaqësojnë rreth 700 subjekte.
Trajnimi i pjesëmarrësve është fokusuar në disa pika kyçe që përfshijnë procedurën që duhet të ndjekin për përmbushjen e detyrimeve ligjore, konceptet e përgjithshme të TVSH-së, plotësimin dhe afatet e deklarimit të TVSH-së, librat e shitjes dhe blerjes, plotësimin e një fature tatimore, etj. Trajnimet e biznesit të vogël do të vijojnë deri në muajin qershor, bazuar në shtrirjen e tyre gjeografike .
Janë rreth 100 sesione trajnimesh dhe rreth 10 mijë vizita këshilluese në adresën e bizneset të cilat janë parashikuar nga DPT-ja.
Ndërkohë, janë ngritur 13 kënde Asistence të dedikuara për biznesin e vogël për t’iu ardhur në ndihmë subjekteve. Po ashtu, çdo drejtori rajonale, përmes specialistëve të zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve do të shpërndarë edhe fletëpalosje dhe materiale informative për këtë kategori biznesi.
DPT fton të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e trajnimeve për t’u njohur me procedurat ligjore dhe detyrimet. Sipas DPT-së, në rast se shihet e nevojshme do të shtohet më tej edhe numri i trajnimeve.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.