Mitsotakis: Greqia arriti rënien më të madhe të papunësisë në BE për 2019-2022!
Greqia arriti rënien më të madhe të papunësisë në Bashkimin Europian, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis para deputetëve të mërkurën, gjatë një debati mbi projektligjin e ri të punës të qeverisë.
“Pavarësisht pengesave të mëdha, të dhënat tregojnë se përpjekjet tona po japin rezultat: nga vera e 2019-ës deri në shkurt 2022, papunësia ra nga 17.2% në 12.8%. Është rënia më e madhe në Europë dhe do të thotë se u krijuan mbi 200,000 vende të reja pune dhe ne tejkaluam pragun e 4 milionë të punësuarve.
Mitsotakis vuri në dukje megjithatë se përmirësimi i shifrave të vendeve të punës nuk ishte shkak për festime, pasi Greqia vazhdon të ketë shkallën e dytë më të lartë të papunësisë në Europë pas Spanjës, “dhe një problem kronik të pagave të ulëta”.
Qeveria u përpoq të zgjidhte rritjen e shpenzimeve familjare që rezultoi nga rritja e çmimit të energjisë, tha kryeministri, duke vënë në dukje se një subvencion prej 200 euro për familjet me të ardhura të ulëta do të jepet duke filluar nga java e ardhshme, ndërsa zotimi i qeverisë për të rritur pagën minimale për një hera e dytë e këtij viti do të hyjë në fuqi më 1 maj.
Kryeministri tha se projektligji për nxitjen e punësimit është një përpjekje për të rifokusuar në lidhjen e nevojave të bizneseve me ofertat e shërbimeve të specializuara, si dhe përmirësimin e aftësive për të dalluar ata që kanë vërtet nevojë për mbështetjen e shtetit dhe ata që kanë nevojë të përmirësojnë aftësitë e tyre. Ekathimerini
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.