Moody`s “rrit” Greqinë – Borxhi sovran një notë më lartë

Agjencia prestigjioze e vlerësimit, Moody`s rriti vlerësimin e borxhit sovran të Greqisë, në Caa2, nga Caa3 që ishte më parë.
Kjo lëvizje vjen pas vendimit të Eurozonës për të zhbllokuar financimin për vendin. Moody`s nga ana tjetër, ndryshoi edhe perspektivën, nga pozitive, në të qëndrueshme, duke shtuar se po vëren shenja të stabilizimit të ekonomisë.
Gjatë mbledhjes së fundit të Eurogrupit më 15 qershor, kreditorët europianë zhbllokuan këstin e radhës për Greqinë, që vlen plot 8.5 miliardë euro.
Ndër të tjera, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka deklaruar se do të futet në bordin e shpëtimit të tretë të Greqisë, por se nuk do të japë asnjë para deri në momentin që do të dakordësohet lehtësimi i borxhit të vendit.
Yieldet qeveritare të Greqisë ndërkohë kanë vijuar trajektoren rënëse përgjatë javës. Rënia do të vijojë, deklaroi Alexis Tsipras.
Vendimi i fundit i Moody`s do ta përforcojë edhe më tej këtë trend, gjë që të ndihmojë vendin të hyjë sa më shpejt në tregjet ndërkombëtare të borxhit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.