Nafta i rikthehet fitimeve – Pritet të publikojë humbjet më të mëdha javore për 2019
Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, por pritet të publikojnë humbjet më të mëdha javore për këtë vit.
Në sesionin e fundit të javës, çmimet po mbështeten nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin. Gjatë ditës së enjte, ndërkohë, dy bençmarkët kryesorë humbën rreth 5% të vlerës, rënia më e madhe ditore për vitin 2019. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.5 dollarë për fuçi.
Analistët mendojnë se tregu po përballet me disa rreziqe, sidomos nga tensioni mes SHBA dhe Iranit. Ndërkohë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës vijon me uljen e prodhimit me 1.2 milionë fuçi në ditë. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në 1 janar dhe do të jetë e vlefshme deri në fund të qershorit. Por, gjatë kësaj jave Arabia Saudite ka sinjalizuar se do të kërkojë një shtyrje të kësaj marrëveshjeje deri në fund të vitit.
Sipas analistëve, sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës do të ulin më tej eksportet nga OPEC, ku të dyja këto vende javë anëtare. Në anën tjetër, çmimet po gjenden nën presion nga rritja e rezervave të naftës në SHBA, javën e kaluar, dhe nga rënia e aktivitetit të manifakturës. Në terma afatgjatë, përshkallëzimi i konfliktit tregtar SHBA-Kinë mund të trazojë tregjet financiare, duke përfshirë edhe tregun e naftës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.