Peugeot-Citroën blen Opel – Konfirmohet marrëveshja me General Motors në $2.3 mld
Marrëveshja për të krijuar prodhuesin e dytë më të madh në Europë të makinave është konfirmuar. Grupi PSA Peugeot-Citroën ka rënë dakord të blejë markën Opel, në një marrëveshje që e vlerëson biznesin europian të kompanisë General Motors në 2.2 miliardë euro.
Kjo do të krijojë një kompani gjigante në rajon, e cila do të sfidojë liderin e tregut europian, Volkswagen.
Prodhuesi i makianve Peugeot dhe Citroën ka premtuar që Opel dhe marka britanike Vauxhall të rezultojnë në fitime, me një marzh operativ prej 2% brenda 3 vitesh dhe 6% deri në 2026-ën, gjë që do të mbështetet nga 1.7 miliardë euro në reduktime të përbashkëta të kostove.
Kreu ekzekutiv i PSA, Carlos Tavares thotë se përmirësimi financiar i Opel-Vauxhall do të përshpejtohet me mbështetjen e kompanisë franceze.
Duke blerë Opel, grupi francez “parakalon” Renault dhe bëhet prodhuesi i dytë i makinave në Europë, me 16% të pjesës së tregut, duke patur përpara vetëm Volkswagen me 24%.
GM do të marrë 1.32 miliardë euro për biznesin prodhues të Opel, ku 650 milionë euro janë në cash dhe 670 në letra me vlerë të konvertueshme në aksione. Kompania franceze dhe banka BNP Paribas do të paguajnë mëtej 900 milionë euro për njësinë financiare të Opel që do të operohet si sipërmarrje e përbashkët (joint venture).
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.