Programi i privatizimeve në Greqi – Në garë për të mbyllur shitjet e aktiveve shtetërore përpara Gushtit
Autoritetet greke po nxitojë në shitjen e disa prej aktiveve shtetërore, që përbën një nga çështjet kryesore të vendit, ndërkohë që mbyllin programin e ndihmave financiare në muajin Gusht. Greqia pritet të regjistrojë të ardhura poshtë pritshmërive nën programin e privatizimit këtë vit, pasi dështoi të arrijë objektivin në vitin 2017. Programi i privatizimeve i vendit është kusht në programin e tretë të shpëtimit që nisi në vitin 2015, ku Greqia është detyruar të shesë disa aktive të zotëruara nga shteti për të nxitur ekonominë.
Ndihma financiare pritet të përfundojë në muajin Gusht. Në vitin 2017, të ardhurat nga privatizimi arritën 1.4 mld euro, poshtë objektivit prej 1.9 mld që vendi ra dakord me kreditorët. “Kjo erdhi prej vonesave në mbylljen e shitjes së zotërimit prej 67% në portin e Selanikut dhe në nisjen e procesit të shitjes prej 5% të firmës së telekomunikacionit OTE”, raportoi Komisioni Europian në Mars.
Deri në Tetor, oferta e preferuar për portin, që përbëhej nga konsorciumi i 3 firmave të investimit, nuk kishte prezantuar ende se cila kompani do të manaxhonte portin, e për rrjedhojë, Këshilli i Auditit Shtetëror nuk mund ta miratonte marrëveshjen brenda 2017-ës. Ndërkohë, agjencia e privatizimit në Greqi, nisi një tender ndërkombëtar për të shitur 5% të firmës së telekomunikacionit OTE në Shkurt. Në total, programi i shpëtimit përfshin 19 privatizime.
Sipas raportit që u publikua pas rishikimit të programit, aksionet kryesore të Greqisë deri në Qershor janë: shitja e 66% zotërim te operatori gazit natyror DESFA, marrëveshja e aeroportit Hellenikon, shitja e zotërimit prej 51% te Hellenic Petroleum, shitja e 17% të aksioneve te Korporata Publike e Energjisë PPC si dhe zgjatja e marrëveshjes koncesionare për aeroportin ndërkombëtar të Athinës. Duke parë vonesat e vitit 2017 dhe kompleksitetin e procesit, Komisioni Europian vlerëson se Greqia do të vazhdojë me privatizimet deri në 2019-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.