Shkëmbimet tregtare agro-ushqimore me BE – Serbia kryeson në rajon, Shqipëria në rritje

Bashkimi Europian ka publikuar raportin për shkëmbimet tregtare në sektorin agro-ushqimor ku konfirmohet rritja e eksporteve të BE drejt vendeve të tjera jo anëtare. Partnerët kryesorë për eksportin e këtyre produkteve vijojnë të mbeten Shtetet e Bashkuara, Kina, Zvicra, Japonia dhe Rusia, ndërsa në import vendet kryesore të origjinës janë Brazili, SHBA, Argjentina dhe Kina.
Sa i takon rajonit tonë, Serbia është partneri më rëndësishëm tregtar për BE në këtë sektor.
Në vitin 2016, Bashkimi Europian importoi 1 miliardë e 82 milionë euro në produkte agro-ushqimore nga Serbia dhe përfundoi me një deficit tregtar prej 169 milionë eurosh.
Në veçanti gjatë vitit 2016, BE importoi fruta të freskëta dhe të thata (303 milionë euro), drithëra (107 milionë euro), sheqer (103 milionë euro) dhe vaj bimor (93 milionë euro)
Mallrat të cilët janë eksportuar në vlera më të mëdha drejt Serbisë janë përgatitësit e ushqimit, çokollatat dhe akulloret, mishi i derrit si dhe makaronat, biskotat dhe buka.
Në përgjithësi BE është më e orientuar tek eksporti i produkteve të përpunuara, ndërsa natyra kryesore e importeve janë produkte bazë.
Krahasuar me vendin tonë Serbia renditet shumë më sipër në vendet e origjinës për këtë natyrë mallrash: e 28-ta, kurse Shqipëria renditet vetëm e 73-ta.
Balanca tregtare e Bashkimit Europian me vendin tonë është në suficit prej 273 milionë eurosh (BE eksporton 346 milionë euro në produkte agro-ushqimore dhe importon vetëm 73 milionë euro).
Sipas statistikave të BE, Shqipëria importon kryesisht cigare (37 milionë euro); makarona, brumra dhe biskota (28 milionë euro); ujë dhe pije të lehta (26 milionë euro).
Ndërkohë, ne eksportojmë drejt unionit kryesisht perime (13 milionë euro), bimë të gjalla, bulba, rrënjë (12 milionë euro) dhe fruta të thata e erëza (10 milionë euro).
Megjithatë, vendi ynë është në rritje të vazhdueshme të volumit të eksporteve drejt BE, i cili nga viti 2012 deri në 2016 ka një rritje mbresëlënëse prej 78%, nxitur kryesisht nga eksportet e frutave, perimeve, farave dhe frutave për vaj, si dhe duhanit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.