Shtëpia që kërkon vetëm 6 orë për t’u ndërtuar – Kushton vetëm 33 mijë dollarë amerikanë

Në një kohë kur çmimet e pasurive të paluajtshme janë në rritje, italiani Renato Vidal ka krijuar një alternativë brilante ndaj shtëpive tradicionale. Bëhet fjalë për M.A.Di. një shtëpi të palosur, e cila kushton 33 mijë dollarë dhe 3 njerëz mund ta montojnë atë në një sipërfaqe të sheshtë në vetëm 6 orë.
Ndërtesa ka marrë certifikatën e sigurisë dhe është e përbërë nga materiale shumë cilësore. Ajo vjen në një sërë përmasash, nga 27 metra katrorë në 84 metra katrorë, ndërsa çmimi varion deri në 73 mijë dollarë. Të gjitha modelet bazike përfshijnë një tualet të pajisur, shkallë dhe instalimet teknike dhe lidhjet e nevojshme për kuzhinën.
M.A.Di. mund të ndërtohet edhe pa një bazament, duke e lejuar të mos ketë asnjë impakt negativ në mjedis. Strukturat mund të montohen edhe jashtë rrjetit elektrik dhe ujor, nëse shtohen panelet diellore, sistemi i ujërave gri dhe ndriçimi LED.
“Krijon ambiente të ngrohta dhe të sigurta, tërësisht të modifikueshme sipas nevojave dhe preferencave”, shkruhet në përshkrimin e produktit. Pasi blerësi zgjedh skicën finale, porosia mund të vonohet deri në 60 ditë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.