Strategjia e Zgjerimit në Ballkan – Prezantohet më 6 shkurt në Parlamentin Europian

Strategjia e Zgjerimit, e titulluar “Perspektiva e Zgjerimit të Besueshëm për Ballkanin Perëndimor”, do të prezantohet në datën 6 shkurt, gjatë seancës plenare të Parlamentit Europian. Burime pranë Brukselit kanë konfirmuar për portalin “European Western Balkans”, se Kolegji i Komisionit Europian, i kryesuar nga Presidenti Jean-Claude Juncker, do të takohet në mëngjesin e 6 shkurtit në Strazburg për të miratuar tekstin përfundimtar të strategjisë.
Më pas, komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn, do të prezantojë strategjinë përpara anëtarëve të Parlamentit Europian, në orën 15:00. Njëkohësisht, strategjia do të publikohet edhe në portalet e institucioneve europiane dhe në media. Dokumenti “Perspektiva e Zgjerimit të Besueshëm për Ballkanin Perëndimor” do të përfshijë udhëzime të përgjithshme për një proces më të shpejtë të integrimit të vendeve të rajonit, por edhe data më specifike për Malin e Zi dhe Serbinë.
Sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, viti 2019 do të jetë vendimtar për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti për “normalizimin gjithpërfshirës të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe Kosovës, do të nënshkruhet vitin e ardhshëm, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia duhet të hapin negociatat për anëtarësim në union, ndërsa Bosnje-Hercegovina do të marrë statusin e vendit kandidat.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.