Studimi i fundit/ Celularët rezultojnë 7 herë më shumë të ndotur se tualeti!

Një studim i ri, ka zbuluar se celulari është gati shtatë herë më i ndotur se sa tualeti. Studimi u krye nëpërmjet 50 mostrave të marrë nga celularët e individëve të ndryshëm, si dhe duke përdorur një pajisje e cila identifikon mikrobet e gjalla në sipërfaqen e telefonit. Sipas Daily Mail, një skanim i një tualeti rezultoi se mbante rreth 220 pika të baktereve, ndërsa një celular mesatar mbarte rreth 1479 pika bakteresh, pra gati shtatë herë më shumë.
Por studiuesit shprehen se rezultatet nuk janë befasuese duke marrë parasysh nivelin e shpeshtë të kontaktit që njerëzit kanë me ta. Një studim i Deloitte zbuloi gjithashtu se Amerikanët i prekin telefonat e tyre mesatarisht 52 herë në ditë.
Një tjetër arsye për përhapjen e baktereve mund të jetë fakti që 40 përqind e njerëzve i marrin telefonat e tyre me vete në tualet, ku vetëm gjysma e këtyre individëve, e pastronte celularin e tij më pas. Nxehtësia e ekranit të telefonit, është një tjetër arsye e cila krijon kushtet perfekte për zhvillimin e baktereve, të cilat transmetohen jo vetëm në duart e njerëzve, por edhe tek veshët, apo fytyra kur dikush e përdor celularin për të kryer telefonata.
Një studim i Universitetit të Arizonës në vitin 2017, ka raportuar rezultate dhe më alarmante, duke vënë në dukje se telefonat kishin 10 herë më shumë baktere sesa vendet e tualetit.
Përdorimi i pecetave apo letrave me alkool, si dhe ndonjë pajisje profesionale për pastrimin e telefonit mund të ndihmojnë në zvogëlimin e mikrobeve, por shumica e ekspertëve thjesht rekomandojnë kujdesin e higjenës në bazë të duarve.
Elefteria ZGURI/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.