Taksë 100 % për çdo produkt serb, Vuçiç: “Shqiptarë ju lutem hiqni masat”!
Vendimi i qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100% është komentuar në Beograd si një kundërpërgjigje ndaj dështimit për anëtarësim në Interpol dhe një hakmarrje për këtë dështim diplomatik.
“Deutsche Welle” shkruan se Beogradi e sheh këtë hap si një masë politike që nuk ka lidhje me ekonominë ndaj edhe ka kërkuar reagime shumë të ashpra të Bashkimit Europian dhe Uashingtonit.
Në artikull evidentohet se Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 440 milionë euro, ndërsa importon mallra në vlerë prej rreth 21 milionë në vit.
“Ky çekuilibrim po zgjat me vite të tëra, ndaj shtrohet pyetja pse ky vendim në këtë moment, kur dihet se me ngritjen e taksave do të ngrihen edhe çmimet e mallrave në Kosovë dhe mund të bie standardi i jetës? Në Serbi thuhet se këto masa janë një rast precedent në ekonomi dhe nuk kanë logjikë ekonomike” shkruhet në artikull.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është takuar menjëherë pas vendimit me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, ata të vendeve të kuintit – Gjermani, SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe Itali, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Njëkohësisht ai ka organizuar edhe takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas të cilit tha se Serbia nuk do të përgjigjet me kundërmasa ndaj Kosovës. Por ajo është “tepër e shqetësuar për pozitën e serbëve në Kosovë si dhe për sigurinë në rajon”.
Presidenti Vuçiç tha se këto masa “e bllokojnë praktikisht tregtinë mes Serbisë dhe Kosovës“ dhe se “Prishtina ka për qëllim të dëbojë serbët dhe të detyrojë Beogradin të kapitulojë“. Presidenti i Serbisë i dërgoi lutje shqiptarëve të Kosovës që të tërheqin këtë vendim. “Ju lus sikur Zotin, që të tërhiqni këto masa“, tha ai me shpjegimin se “të gjithë kemi nevojë për paqe“.
Artikulli i plotë i “Deutsche Welle”: https://www.dw.com/sq/vu%C3%A7iq-shqiptar%C3%AB-ju-lutem-hiqni-masat/a-46403466?maca=alb-TB_alb_rtklive-17605-html-cb
Lexo edhe: http://www.scan-tv.com/kosova-deklaron-lufte-ekonomike-takse-100-per-cdo-produkt-serb/
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.