Tremujor historik për Ferrarin – Shitjet rriten me 22%, ngrenë çmimin në bursë

Ferrari e ka hapur vitin 2017 me një tremujor rekord. Nga Janari në Mars, kompania italiane ka dorëzuar mbi 200 mijë njësi (6% më shumë se në 2016) dhe të ardhurat janë rritur në 821 milionë euro, 22% më shumë.
Fitimi operativ bruto shkon kështu në 242 milionë euro, ndërsa të ardhurat neto janë 124 milionë.
Grupi konfirmon në këtë mënyrë parashikimet për vitin, atë të dorëzimit të 8400 njësive, përfshirë supermakinat, si edhe të ketë mbi 3,3 miliardë euro të ardhura, nga ku 950 fitime para taksave dhe interesave.
Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave ka qenë kërkesa për modelet me 12 cilindra, pra GTC4 Luks, LaFerrari Aperta dhe F12tdf)
Gjysma e makinave janë shitur në zonën Emea (Europë, Lindje e Mesme, Afrikë), ndërsa tregu i dytë më i madh është ai i Amerikës Veriore e Jugore me 545 njësi.
Pas këtij lajmërimi, Ferrari pati një rritje të fortë në bursë, duke arritur në 72 euro për aksion, një rritje prej 3,5%. Krahasuar me Shkurtin e vitit 2016, kur kuotohej me 28 euro për aksion, Ferrari ka ardhur në një rritje të vazhdueshme.
Kompania italiane, e cila është pjesë e grupit FIAT ka patur një rritje prej 89% në çmimin e aksioneve përgjatë vitit të fundit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.