Tsipras është optimist: Marrëveshje e pranueshme me kreditorët brenda prillit

Kryeministri grek, Alexis Tsipras u shpreh se, janë bërë progrese të ndjeshme në negociatat me kreditorët ndërkombëtarë në kuadër të rishikimit të programit të shpëtimit. Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit helen shtoi se shpreson se marrëveshja do të arrihet brenda Prillit.
Negociatat me Athinën rinisën gjatë javës, pas një pezullimi disa mujor si pasojë e përplasjeve mes Athinës dhe kreditorëve për shkak të masave që ndërmori qeveria greke në fundvit, por edhe si pasojë e përplasjeve mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kreditorëve evropianë.
“Në këndvështrimin tim, ka pasur progres domethënës, është e mundshme që të kemi një marrëveshje teknike me Eurogrupin brenda datës 20 Mars, si dhe është mëse e arsyeshme që të kemi një marrëveshje të pranueshme që të mbulojë masat afat-mesëm mbi borxhin grek”, deklaroi Alexis Tsipras.
Me një marrëveshje të pranueshme, qeveria greke i referohet një marrëveshje të atij niveli me kreditorët mbi reformën e punës dhe atë në sektorin energjetik si dhe qartësi sa i përket masave për ristrukturimin e borxhit të vendit, një kërkesë kjo e kahershme e Athinës zyrtare, por edhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.