Vaksinat, ende larg vendeve të varfra – Franca shton donacionet, thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë

Vaksinat e koronavirusit mbeten ende larg vendeve të varfra, u shpreh Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit. Ai ka denoncuar në mënyrë të përsëritur pabarazitë në shpërndarjen e vaksinave dhe u kërkoi vendeve më të pasura të ndajnë doza të tepërta për të ndihmuar inokulimin e punonjësve shëndetësorë në vendet me të ardhura të ulëta.
“Zgjidhja duhet të jetë e drejtë për të gjitha vendet sepse pandemia vepron njëlloj kudo. Ne kemi nevojë për vende dhe kompani që kontrollojnë burimet që mund të shpëtojnë jetë, tha Tedros në një konferencë shtypi virtuale.
Komisioni Evropian deklaroi se kishte nënshkruar marrëveshjen më të madhe në botë për furnizimin e vaksinave, duke rënë dakord për të blerë deri në 1.8 miliardë doza të vaksinës së Pfizer për vitet e ardhshme ndërsa debatohet vazhdimisht për qasjen e pabarabartë në vaksina për njerëzit më të varfër në botë.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se është e papranueshme që një në gjashtë evropianë ishte vaksinuar, një në pesë në Amerikën e Veriut por vetëm një në 100 në Afrikë.
Franca do të shtojë donacionet e vaksinave për COVAX në muajt e ardhshëm me një dhurim prej 500,000 dozash, përfshirë nga furnitorë të tjerë përveç AstraZeneca, tha Macron, duke u bërë thirrje të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë.
COVAX, i cili ka dërguar 40.5 milion doza në 118 vende deri më tani, synon të sigurojë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021.
India raportoi numrin më të lartë ditor në botë të infeksioneve të koronavirusit, duke tejkaluar 330,000 raste të reja, pasi lufton me një sistem shëndetësor të mbingarkuar nga pacientët dhe të munduar nga aksidente dhe mungesë oksigjeni mjekësor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.