Vijojnë kërkimet për të mbijetuarit – Rritet numri i viktimave nga tërmeti që goditi Turqinë
Skuadrat e shpëtimit intensifikuan kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara në Izmir të Turqisë, pasi një tërmet i fortë goditi Detin Egje të premten.
Zyrtarët thanë se 25 njerëz u vranë në zonat bregdetare në perëndim të Turqisë, ndërsa dy adoleshentë , një djalë dhe një vajzë, vdiqën në ishullin grek të Samos pasi një mur, u shemb mbi ta. Të paktën 20 ndërtesa në Izmir u shkatërruan, thanë autoritetet, dhe puna e shpëtimit po zhvillohej ndërsa qindra lëkundje të tjera goditën zonën. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit ishin të përfunduara në tetë ndërtesa, ndërsa të tjera operacionet vijuan në nëntë vende. Të paktën 804 njerëz u plagosën në Turqi, tha agjencia e katastrofave të vendit. Ndërkaq, zona ishte goditur nga rreth 470 lëkundje të pasuara.
Krerët e Turqisë dhe Greqisë , të përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër mbi të drejtat e kërkimit në Mesdheun Lindor , zhvilluan një bisedë telefonike mbrëmjen e së premtes. Në një shfaqje të rrallë ngrohtësie midis dy vendeve, udhëheqësit turq dhe grekë shkëmbyen mesazhe solidariteti. Bashkëpunimi midis dy vendeve pas një tërmeti shkatërrues në 1999 çoi në një periudhë të lidhjeve më të ngushta midis tyre. Turqia është ndër vendet më të prirura për tërmete në botë. Më shumë se 17,000 njerëz u vranë në gusht të vitit 1999 kur një tërmet me madhësi 7.6 goditi Izmit, një qytet në juglindje të Stambollit. Në vitin 2011, një tërmet në qytetin lindor të Vanit vrau më shumë se 500 njerëz.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.