Viti 2020 sjell rekord për arin / Fondet e listuara në bursë shtojnë zotërimet me 876 ton prej pandemisë

Fondet e listuara në bursë që ndjekin çmimin e arit, u tkurrën për të dytin muaj radhazi në Dhjetor, por e mbyllën vitin 2020 në nivel rekord, falë magazinimeve gjigante gjatë nisjes së pandemisë, sipas Këshillit Botëror të Arit. Ari përdoret zakonisht si një ruajtës i pasurisë dhe investitorët u dyndën tek metali i çmuar ndërkohë që koronavirusi u përhap në të gjithë botën.
Metali i çmuar përfiton gjithashtu nga normat e ulëta të interesit, për shkak se këto sjellin uljen e kthimit nga titujt qeveritarë të borxhit, që janë investim rival në periudha të vështirësive. Fondet e listuara në bursë shtuan zotërimet me 876 tonë në vitin 2020, ekuivalent me rreth 25% të prodhimit botëror të minierave të arit.
Kjo tejkalon rekordin e mëparshëm prej 646 tonë në vitin 2009, një tjetër vit sfidues, dhe e çoi totalin e mbajtur nga Fondet e Listuara në Bursë (ETF) në 3,751 tonë, me vlerë në rreth 225 miliardë dollarë më vlerën aktuale në treg. Megjithatë, vrulli arriti drejt një ndalese në fund të vitit, ndërkohë që shpërndarja e vaksinave të koronavirusit bëri që investitorët të fokusohen tek aktive që sjellin përfitime nga rimëkëmbja ekonomike. Çmimi i arit ka rënë në rreth 1,850 dollarë për onz, nga niveli rekord prej 2,072 që preku në muajin Gusht.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.