Zbardhen emrat e kabinetit të ri të Abazoviç – Kush janë 2 ministrat shqiptar të propozuar?

Dritan Abazoviç, i mandatuari për kryeministër në Malin e Zi, ka dorëzuar zyrtarisht programin e qeverisë së re në Kuvend.
Qeveria e re e Malit të Zi, siç është propozuar, pritet të ketë 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Bie në sy propozimi për dy ministra shqiptarë. Emiri i parë është Fatmir Gjeka, i propozuar si Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, i lindur në Tivar në vitin 1975, i diplomuar për ekonomi, ish kryetar i Komunës së Ulqinit, deputet shumëvjeçar i Kuvendit të Malit të Zi.
I dyti është Maras Dukaj, i propozuar si Ministër i Administratës Publike, i lindur më 1985 në Tuzi, Master i Psikologjisë Shkollore, gazetar dhe profesor shumëvjeçar, drejtor shumëvjeçar i drejtorisë në Ministrinë e Arsimit, ish-drejtor i Komunës së Tuzit.
Në planin e dorëzuar, Abazoviç ka renditur pikat kryesore, ku do të fokusohet qeveria e re, ku mes të tjerave përfshihet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përshpejtimi i procesit të integrimi në Bashkimin Evropian, si dhe reforma të reja për të përballuar krizën ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë.
Pjesë e koalicionit qeverisës janë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.