BE dhe ODIHR, projekt 1,6 mln eurosh për të përmirësuar zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor

Komisioneri europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn, si edhe drejtori i OSBE/ODIHR, Michael Goerog Link prezantuan një projekt të ri për mbështetjen e zgjedhjeve demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Ky projekt i ri do të implementohet përgjatë një periudhe 3-vjeçare nga ODIHR në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi, si edhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Projekti ka një buxhet total prej 1.6 milionë eurosh, të bashkëfinancuara nga Bashkimi Europian (1.4 milionë euro) dhe nga ODIHR (200 mijë euro nga Agjencia Austriake për Zhvillim). Fushat ku do të fokusohet projekti përfshijnë menaxhimin e zgjedhjeve, regjistrimin e votuesve dhe sjelljen e medias gjatë fushatave elektorale.
“Marrëveshja e firmosur sot tregon përkushtimin tonë të fortë nga Ballkanit Perëndimor në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh komisioneri Hahn.
“Përmes këtij projekti, zyra jonë do të intensifikojë përpjekjet për të promovuar një ndjekje të rekomandimeve për zgjedhjet me qëllim për ti afruar zgjedhjet më tej në linjë me kushtet dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, u shpreh drejtori i ODIHR Link.
Për realizimin e këtij projekti, ODIHR do të bashkëpunojë ngushtësisht me organizatat e shoqërisë civile, ofruesit e asistencës zgjedhore, si edhe me zyrat në terren të OSBE edhe me delegacionet e Bashkimit Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.