Borxhi i keq në Greqi – Huadhënësit në vend planifikojnë shitje rekord të kredive të këqija

Tre prej huadhënësve më të mëdhenj në Greqi planifikojnë të shesin 5.5 miliardë euro kredi të këqija deri në fillim të vitit që vjen, tregojnë burime për Reuters, ndërkohë që kreu i Bankës Qendrore të vendit i ka bërë thirrje sektorit bankar për të vepruar më shpejtë në trajtimin e borxhit të keq.
Huadhënësit në Greqi mbajnë një nivel prej 103 miliardë euro në kredi të këqija, shifër që përbën rreth 60% të ekonomisë. Banka Qendrore Europiane e kërkon këtë shifër të reduktohet me 38 miliardë euro deri në fund të 2019-ës.
Bankat më të mëdha në Greqi, Piraeus Bank, NBG dhe Alpha, planifikojnë të ndërmarrin hapa të mëdha në arritjen e këtij objektivi, me një sërë shitjesh që pritet të përfundojnë deri në muajin Mars, tregojnë burimet për Reuters.
Bankat po reagojnë ndaj rritjes së presionit rregullator për të trajtuar borxhin e keq, që kufizon aftësinë e tyre për të zgjeruar kreditin dhe cënon rimëkëmbjen e ekonomisë së Greqisë.
“Bankat duhet të jenë më ambicioze në reduktimin e kredive të këqija dhe të përshpejtojnë shitjet e tyre”, tha Yannis Stournaras për Reuters.
Nëse 3 bankat shesin 5.5 miliardë euro në vlerë të kombinuar si ç’planifikohet, totali i do të arrinte në 7 miliardë, apo në rreth 18% të objektivit të caktuar nga BQE. Megjithatë, shitjet përbëjnë kredi që janë reduktuar në vlerë në bilancet e bankave dhe nuk ka gjasa të rezultojnë në ndonjë humbje të konsiderueshme të mëvonshme.
Sfida më e madhe do të jetë trajtimi i pjesës më të madhe të kredive të këqija me kolateral. Ka patur shqetësime kryesisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, se kolaterali i këtyre huave mund të ketë një vlerë shumë më të ulët se ç’tregojnë librat e bankave.
BQE ka refuzuar iniciativën e FMN për një kontroll të ri të cilësisë së aktiveve bankare të Greqisë, por po përgatit planet e veta për stress test-in e huadhënësve grek gjatë vitit të ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.