Ekonomia, fokusi i Triestes – Një forum biznesi paralel me samitin, Italia hedh sytë nga Ballkani

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Itali duket se tashmë i kanë kthyer sytë drejt Ballkanit. Është vetë qeveria italiane që kërkon të rrisë ndjeshëm bashkëpunimin mes ndërmarrjeve italiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Në fokus janë sektori energjetik, ai financiar, infrastruktura, dhe teknologjia e informacionit. Pikërisht për këtë qëllim Italia ka vendosur të zhvillojë një forum biznesi më 12 korrik në Trieste, përpara takimit të nivelit të lartë në kuadër të procesit të Berlinit.
Të pranishëm në forumin e biznesit do të jenë edhe 6 vende anëtare të unionit, si: Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Sllovenia dhe Italia.
Samiti i Triestes ndërkohë do të zhvillohet në tre sesione; ai me krerët e qeverive, ai me ministrat e jashtëm dhe ai me ministrat e zhvillimit ekonomik.
Forumi i biznesit ndërkohë do të zhvillohet nga konfindustria italiane. Në të do të marrin pjesë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondi Europian i Investimeve, Banka Europiane e Investimeve, e shumë organizma të tjerë financiare ndërkombëtarë.
Në forumin e biznesit në Trieste do të marrin pjesë 160 sipërmarrje, që do të zhvillojnë mbi 1000 takime.
“Zona e Ballkanit, po njeh një dinamikë mjaft të fortë ekonomike dhe ka një interes të lartë për produktet “Made in Italy”, por edhe një kapacitet në rritje për të tërhequr investime të huaja nga Europa”, thotë një prej organizatorëve të forumit të biznesit.
Organizatorët e vënë theksin te dy vende, Serbinë dhe Shqipërinë, duke evidentuar vendin tonë si të vetmin ku Italia ka një bilanc pozitiv tregtar dhe një potencial të lartë.
Që prej vitit 2007, aktiviteti i ndërmarrjeve italiane në Ballkan është rritur me plot 700%.
Samiti i Triestes, ai i nivelit të lartë, do të zhvillohet gjithashtu ditën e Mërkurë më 12 Korrik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.