Greqia kundër Lagarde: Oferta e saj nuk është zgjidhje për ne

“Propozimi i Christine Lagarde për ti ofruar një rrugëdalje Greqisë me kreditorët europianë, nuk kontribuon për arritjen e një zgjidhje të ndershme”-deklaroi Syriza, partia në qeveri.
Një ditë më parë, Christine Lagarde i ofroi një zgjidhje disi paradoksale kreditorëve europianë, duke ofruar përfshirjen në bordin e shpëtimit të Greqisë, por me kushtin që të mos japë asnjë para derisa të merren masat për lehtësimin e borxhit grek.
Pavarësisht se, Greqia kërkon me ngulm këtë gjë, dhe pavarësisht faktit se Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka mbështetur me forcë këtë pretendim, aq sa të përplaset ashpër me Berlinin, Athina zyrtare duket se nuk është e kënaqur.
Për qeverinë greke, kjo zgjidhje nuk është e qëndrueshme dhe e ndershme, pasi është afat-shkurtër dhe lë hapur mundësinë e përplasjeve të vazhdueshme në të ardhmen, në një kohë që Greqia është në kërkim të dëshpëruar të normalitetit.
Për Syrizan, çdo marrëveshje për borxhin duhet të përmbushë kriteret e Bankës Qendrore Europiane në mënyrë që të mundësojë përfshirjen e Greqisë në tregjet e titujve, gjë që nuk do të ndodhë në rast se do të aplikohet propozimi i Lagarde.
Greqia i ka përmbushur detyrimet karshi kreditorëve, dhe tashmë kërkon nga këta të fundit të bëjnë të njëjtën gjë”-thuhet në deklaratën e Syrizas.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.