Industria e Sporteve Elektronike në vlerën e 1 miliard dollarëve brenda 3 vitesh
Numri i shikuesve të kampionateve elektronike pritet të rriten në 500 milionë njerëz në vitin 2020. Aktualisht ky numër është 300 milionë dhe ka qenë në rritje konstante për vite tashmë.
Në kampionatet e sporteve elektronike, lojtarë profesionistë konkurrojnë në lojëra si League of Legends dhe Counter-Strike, përballë audiencave gjigande. Kampionatet e tilla janë shtuar dhe së bashku me to edhe fitimet e industrisë së lojërave, e cila në vitin 2016 fitoi 75 miliardë dollarë.
Brandet ndërkombëtare janë bashkuar në trajektoren në rritje të e-lojërave dhe emra si Intel dhe Red Bull zhvillojnë eventet e tyre të sporteve elektronike. SK Telecom e Koresë së Jugut shpall fituesit e kampionatit botëror të League of Legends, ndërsa reklamat për këto sporte do të rriten në 800 milionë dollarë në vitin 2019.
Edhe institucionet financiare e kanë vënë re këtë zhvillim. Goldman Sachs e vlerëson në 500 milionë dollarë industrinë e sporteve elektronike, me një rritje vjetore në vijim me 22%, pra mbi 1 miliard dollarë në tre vitet e ardhshme.
Raportet e ekspertëve bien në dakordësi për këto pika:
- Sportet elektronike janë ende në fillesat e tyre
- Industria është në një rritje të vazhdueshme
- Platformat e transmetimit dixhital po i popullarizojnë më tepër këto sporte
- Financiarisht ato janë ende të nënvlerësuara
- Ka ende shumë burime të ardhurash të pashfrytëzuara nga kompanitë
- Ky treg është më dinamik se ai i sporteve tradicionale
- Audienca është globale dhe në rritje
- Markat tradicionale të sporteve kanë mundësi të pastër për t’u bashkuar
Nevoja për zhvillimin e këtyre kampionateve është e vëzhgueshme lehtësisht në platforma si Twitch dhe YouTube (së shpejti edhe Facebook), ku lojtarët transmetojnë live ndeshjet e tyre, çka ka sjellë të ardhura të mëdha për ta. PewDiePie, i cili është përdoruesi me më tepër të abonuar në YouTube ka një kanal lojërash, prej të cilit fiton miliona dollarë në vit.
Vetë ligat tradicionale të sporteve po ndiejnë presionin. Skuadra italiane e futbollit, Roma ka zgjedhur ekipit e lojtarëve Fnatic për ta përfaqësuar në ndeshje dixhitale, ndërsa NBA do të nisë vitin tjetër ligën e saj elektronike, me lojtarë që luajnë videolojëra e që do të përfaqësojnë ekipet e basketbollit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.