Zyrtare/ Krijimi i qeverisë së re në Maqedoni, Ivanov i dorëzon mandatin Zoran Zaev

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov i dorëzon zyrtarisht mandatin Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së re. Kreu i qeverisë maqedonase pohoi gjatë fjalës së tij se janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien e mandatit.
Ndërkohë nga ana e tij, Zoran Zaev ka lexuar para mediave garancinë që ia ka dhënë Presidentit. Ai tha se në emrin e shumicës parlamentare “garanton mbrojtjen e pacenueshmërisë së shtetit sovraniteti, pavarësisë dhe multietnicitetit të shtetit”.
Zaev garantoi respektimin e rendit aktual kushtetues, mbrojtjen territoriale të Republikës së Maqedonisë, ndërkohë që u betua se do të jetë gjithnjë në anën e mbrojtjes së interesave shtetërore dhe proceset e vendimit do të jenë në pajtueshmëri me sundimin e ligjit.
Në fund, gjithashtu garantoi se asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të ishte kundër të lartpërmendurave nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë.
Dorëzimi i mandatit u bë pasi Presidenti Ivanov mori njoftimin nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi se është formuar shumica parlamentare.
Presidenti Ivnaov më parë refuzonte të jepte mandatin dhe kërkonte garanci për ruajtjen e pacenueshmërisë së shtetit dhe respektimin e Kushtetutës.
Ivanov dorëzon mandatin, Zaev në Vilën Vodno
Posted by RADIO TELEVIZIONI SCAN on Wednesday, May 17, 2017
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.