Objektivi i ri i Greqisë, ESM: Masat shtrënguese kanë kaluar, fokusi te rritja ekonomike

Drejtori i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha gjatë një takimi me kryeministrin grek Alexis Tsipras, se vendi ka bërë progres dhe se masat shtrënguese i përkasin të shkuarës.
“Tashmë mund të përqendroheni në fuqizimin e rritjes ekonomike. Ky është objektivi i ri dhe është pozitiv për ekonominë dhe popullin grek”, tha ai.
Tsipras tha se vendi synon të rifitojë besimin e tregjeve dhe të përfundojë programin e shpëtimit në mes të vitit 2018.
Kreu i organizatës në Luksemburg shtoi se Greqisë nuk do ti nevojiten kredi të tjera pas asaj periudhe.
Sipas tij, çdo gjë do të varet nga bashkëpunimi, pasi pjesëmarrësit e tregjeve po monitorojnë me detaje marrëdhëniet e Greqisë me institucionet dhe progresin e reformave të vendit në përputhshmëri me programin e shpëtimit.
Gjatë bisedës me kryeministrin grek, Klaus Regling theksoi se mbetet ende 1 vit që programi të përfundojë dhe se kjo kohë duhet përdorur mirë.
Ai bëri të ditur se Mekanizmi Europian i Stabilitetit do të bëjë disbursime të tjera në vitin që vjen, përveç atyre të muajit Korrik dhe se kjo do të varet nga zbatimi i reformave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.