Prodhimi i energjisë për vetëkonsum – Pas zhbllokimit të tregut, kapaciteti i instaluar nga bizneset shkon në 8 MW
Vetëm gjatë vitit të kaluar kapaciteti i instaluar i paneleve fotovoltaike për qëllime autokonsumatore arriti në 7-8 MW. Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga nënkrytari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Elton Çekrezi i cili thotë se pas miratimit të udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019, që mundësoi lidhjen e projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli, në sistemin e shpërndarjes, interesi ka ardhur në rritje.
Kryesisht këto teknologji po përdoren nga bizneset, që kanë edhe konsumin më të lartë të energjisë, në raport me konsumatorët familjarë. Aktualisht, bizneset mund të prodhojnë energji përmes paneleve fotovoltaike, kryesisht për nevoja autokonsumatore si dhe kanë mundësi të shkëmbejë tepricën e prodhuar në rrjetin elektrik publik. Deri në mesin e vitin 2019 tregu bllokohej për shkak të mungesës së këtij akti nënligjor, që kishte krijuar jo pak probleme edhe për bizneset që kishin investuar në këtë drejtim.
Ndërkaq, pavarësisht rritjes së fuqisë së instaluar për vetëprodhimin e energjisë, mungesa e një tarife, për shitjen e energjisë e saj po kufizon shfrytëzimin e këtyre impinateve nga ana e bizneseve në masën 100%. Grupet e interesit i kanë kërkuar autoriteteve që në mungesë të tarifës, përllogaritja të bëhet në baza vjetore, sikurse është praktika botërore dhe rekomandimet e Komunitetit të Energjisë. Ndërkohë që, Zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Gjergji Simaku ka deklaruar më herët për TV SCAN se po punohet në këtë drejtim, duke parashikuar ndryshime ligjore, që do të mundësojnë netimin vjetor.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.