Serbia hap dy kapituj të rinj me Brukselin për aderimin në BE

Sot në Bruksel u zhvillua takimi i pestë i Konferencës së Aderimit me Serbinë në nivel ministrash. Qëllimi i takimit ishte hapja e negociatave për kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politika industriale” si dhe hapja dhe mbyllja provizore e kapitullit 26 “Edukimi dhe Kultura”.
Pas konferencës së sotme, Serbia ka hapur 8 kapituj nga një total prej 35 kapitujsh për t’u negociuar, ndërsa 2 kapituj janë mbyllur tashmë përkohësisht.
Në takim morën pjesë përfaqësues të BE-së dhe Komisionit Europian si dhe Ministrja e Integrimit Europian Jadranka Joksimovic.
Në deklaratën për shtyp, Bashkimi Europian thekson se ka vlerësuar me kujdes gjendjen e përgatitjes së Serbisë dhe ka dhënë rekomandimet për këto kapituj.
Sa i përket kapitullit të ndërmarrjeve dhe politikave industriale, BE vëren se Serbia duhet të vazhdojë punën për përshtatjen e legjislacionit me atë të vendeve të unionit. Etapa që duhet të plotësojë Serbia është si më poshtë:
“Serbia duhet të vendosë dhe të zbatojë implementimin e një strategjie gjithëpërfshirëse industriale, të mbështetur nga një sistem indikatorësh vlerësimi dhe referimi si ato të sugjeruara nga politikat për industrinë të BE”.
Ndërsa për kapitullin e edukimit dhe kulturës, BE vendosi se nuk ka nevojë për të vazhduar, pasi përgatitja e përgjithshme e Serbisë në edukim dhe kulturë është e mirë.
Monitorimi për të dy këta kapituj do të vazhdojë, së bashku me përputhjen e legjislacionit përmes negociatave.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.