Shalqiri mbetet stok, fermerët shqiptarë kërkojnë ndihmë
Fermerët e Imshtës, fshat në njësinë administrative Bubullimë të Bashkisë së Lushnjes kanë mbjellë 400 hektarë tokë me shalqi këtë verë.
Por ata që njihen edhe si prodhuesit më të mëdhenj janë duke u përballur me vështirësitë e tregut. Çmimi i shalqirit nuk shkon as në 3 lekë për kilogram. Fermerit Feçorr Musa, prodhimi jo vetëm që nuk shitet, por tashmë e ka kaluar pjekjen teknike dhe nuk vlen më për në treg.
Ai tregon se ka shpenzuar rreth 400 mijë lekë për fidanët dhe shërbimet e tjera dhe ka fituar vetëm 50 mijë. Prodhimi i është prishur.
“S’e kemi këputur më përpara se nuk kemi pasur ku ta çojmë. Po u këput duhet shitur. Ne nuk kemi treg, nuk vjen tregtari ta marrë dhe nuk e dimë shkakun”, thotë ai. Në Imshtë zgjidhjen e presin nga institucionet duke propozuar rregullimin afatgjatë të tregut, ose bashkimin e fermerëve, apo mbledhjen e prodhimeve në pikat e mëdha të grumbullimit.
“Tregtari s’ka pse vjen e merr tek unë mallin, le ta marrë tek pika e grumbullimit. Kështu ruhet edhe çmimi dhe garantohet shitja e mallit. Kosto vete 50 lekë, ne po e shesim 30 lekë”, thonë fermerët, sipas “TCH”.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë që të shmanget abuzimi me çmimet në treg dhe mbetja në parcelë e prodhimit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.