Tërhiqet Greqia, Reuters: Pranon kërkesat e kreditorëve, ka marrëveshje

Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë, përfshirë FMN, janë dakordësuar për pikat kryesore, si reforma e punës, ulja e shpenzimeve, dhe çështjet e energjisë, duke rritur ndjeshëm gjasat për një marrëveshje brenda datës 7 prill, kur do të jetë edhe takimi i Eurogrupit.
Ende nuk ka asgjë zyrtare, por burime pranë palëve bëjnë me dije se çështjet kryesore janë zgjidhur. Ky progres do të thotë se, në ditët në vijim delegacioni i Komisionit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mund të zbarkojë në Athinë për të diskutuar mbi detajet.
Në fokus të negociatave ka qenë shkurtimi i pensioneve, sektori energjetik dhe reforma e punës. Athina zyrtare u dakordësua muajin e kaluar të ndërmerrte masa shtesë, të barabarta me 2% të PBB, pavarësisht se, Alexis Tsipras kishte deklaruar vazhdimisht se, asnjë masë shtesë nuk do të pranohet, qoftë një euro e vetme.
Reuters zbulon se, në bazë të marrëveshjes së re, Athina do të shkurtojë pensionet me 1% të PBB-së në vitin 2019. Zyrtarë të lartë grekë dhe europianë kanë deklaruar për agjencinë e lajmeve se, në takimin e Eurogrupit më 7 prill do të ketë një marrëveshje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.