Tsipras, thirrje kreditorëve: Mosmarrëveshja me Eurogrupin rrezikon rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri i Greqisë u bëri thirrje liderëve Europian që të mos rrezikojnë rimëkëmbjen e brishtë të ekonomisë dhe të zgjidhin konfliktet mes Eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendin.
“Greqia është gati, investitorët janë gati dhe tregjet gjithashtu. E vetmja gjë që presim janë shenjat nga lidershipi në Europë dhe institucionet”, tha Alexis Tsipras në një konferencë në Athinë.
Gjatë takimit të ministrave të financave të Eurozonës muajin e kaluar, Greqia, kreditorët europianë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dështuan të arrijnë një dakordësi mbi lehtësimin e borxhit, kryesisht prej këndvështrimeve të ndryshme mbi rritjen ekonomike.
Tashmë pritet për një zgjidhje në takimin e 15 Qershorit të Eurogrupit. Disa vende europiane, përfshirë gjermaninë, shqetësohen se lehtësimet mund të ndikojnë ritmin e reformave në Greqi.
Fondi Monetar Ndërkombëtar nga ana tjetër, deklaroi se nuk do të marrë pjesë financiarisht në programin e fundit të shpëtimit të vendit, nëse nuk ka qartësi mbi këtë çështje.
Greqia kaloi ulje të tjera të pensioneve dhe rritje të taksave muajin e kaluar, që do të implementohen pas 2018-ës, në përpjekje për të bindur FMN që të marrë pjesë në programin e fundit të shpëtimit, apo masën e tretë që prej vitit 2010.
Athina synon që qartësimi mbi lehtësimin e borxhit do të kualifikojë Greqinë për programin e shpëtimit të Bankës Qendrore Europiane, që do të mundësojë rikthimin e vendit në tregjet ndërkombëtar të borxhit gjatë Verës.
Borxhi i Greqisë qëndron në rreth 180% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.