Kategoria Superiore, plani i masave për ndeshjen Skënderbeu – Kukësi

Do të zhvillohet sot në orën 18:00 ndeshja mes Skënderbeut dhe Kukësit. Përballja do të luhet në stadiumin e qytetit të Korçës dhe është e vlefshme për Kategorinë Superiore.
Për këtë ndeshje vetë Policia e Korçës ka marrë masa për zhvillimin normal të saj.
“Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe drejtuesve të Klubit Sportiv Skënderbeu janë marrë masat për garantimin e zhvillimit normal të kësaj ndeshjeje. Shërbimet policore do të rrethojnë gjithë perimetrin përreth stadiumit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti, dëmtimin e pronës së shtetasve dhe sigurimin e rregullit e lëvizjes së tifozëve. Po ashtu, nuk do të lejohen tregtarët ambulantë në këtë unazë dhe në lulishtet përpara dhe pas stadiumit. Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarrëve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.
Sipas policisë qytetarët që janë pajisur me biletë, të marrin masa për paraqitjen në ambientet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.