Shpenzimet për zgjedhjet – Shqiptarët paguajnë 20 mln euro për të zgjedhur 25 deputetë

Shqipëria është një nga vendet kandidate për të hyrë në BE. Por pavarësisht dëshirës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duhet të theksohet se Shqipëria është vendi më i varfër i cili pret në listë për t’u anëtarësuar.
Por pavarësisht kësaj, sa herë që në Shqipëri ka procese zgjedhore, vendi shpenzon shuma të konsiderueshme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Vota.al, shteti ynë harxhon nga buxheti i shtetit rreth 7 milionë euro përmes KQZ-së , rreth 3 milionë euro përmes strukturës ekzekutive, rreth 10 milionë euro përmes donacioneve, partive politike dhe strukturave elektorale, në total rreth 20 milionë euro.
Nëse i referohemi sistemit elektoral që përdoret në vendin tonë, nga 140 deputetë të cilët duhet të përbëjnë parlamentin, janë të “zgjedhur” 115 prej tyre. Pra, për 115 nuk ka asnjë surprizë, ata janë deputetë, sepse janë emëruar që ditën kur u shpallën listat shumë-emërore të kandidatëve.
Për pasojë, zgjedhjet nuk bëhen për ata, zgjedhjet bëhen për pjesën e mbetur, rreth 25 deputetë. Në shifra financiare për 25 deputetët në garë ne harxhojmë minimumi 20 milionë euro, ose 800 mijë euro/për deputet!
Vendi ynë shpenzon një shumë kaq të madhe parash për të financuar zgjedhjet ndërkohë që një herë në katër vite që i jepet e drejta qytetarit për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në Kuvend i duhet që të ushtrojë të drejtën e votës vetëm për 25 prej tyre.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.