Turi i makinave luksoze “Gumball 3000” rikthehet pas 10 vjetësh në Tiranë
“Gumball 3000”, festivali super luksoz i makinave, këtë vit do të kalojë edhe nga Shqipëria. Është vetë grupi që konfirmon një gjë të tillë, pas prezantimit të rrugës së sivjetshme që do të ndiqet.
Rikthehet kështu pas 10 vjetësh në Tiranë, shfaqja mbresëlënëse e makinave që mbledh të famshëm si Snoop Dogg, David Guetta, Steve Aoki, Xzibit, Adrien Brody, themelues të Facebook dhe shumë të tjerë.
Eventi publik në Tiranë në 5 korrik do të zgjasë nga ora 5 e pasdites deri në orën 11 të darkës, ndërsa makinat priten të vijnë në orën 7 në sheshin “Nënë Tereza”.
“Një perlë e fshehur, Shqipëria ka disa nga rrugët më mahnitëse dhe peizazhet më mbresëlënëse në Europë. Ajo ka ndryshuar shumë nga vizita jonë e fundit në vitin 2007”, thuhet në njoftimit zyrtar.
Turi i datave 1-8 korrik do të nisë në Rigë, Letoni dhe do të kalojë nga Varshava, Budapesti, Dubrovniku, Tirana, Athina duke përfunduar në Mikonos.
Në faqen e Facebook të ‘Gumball 3000’ ndërkohë, një fans shpreh shqetësimin për ngarjen e makinave luksoze nëpër rrugët e Shqipërisë, por ‘Gumball’ ka reaguar duke thënë se “rrugët e reja të ndërtuara në Shqipëri, bëjnë me turp edhe disa nga rrugët e Anglisë”.
Në grupin ‘Gumball 3000’ operojnë tetë kompani gjigande nga argëtimi, financa dhe moda dhe është vlerësuar së fundmi në 300 milionë dollarë nga Forbes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.